Politika e Ballkanit

Ermal Beqiri, bossi me kështjellë 2.6 mln euro në Francë, avione, apartamente e mjete motorike! SPAK kërkon sekuestron e pasurive!

Një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, 2 apartamente, llogari bankare me mbi 2 milionë euro dhe automjete, janë disa nga pasuritë e identifikuara në Francë që sipas SPAK i përkasin biznesmenit Ermal Beqiru, në kërkim nga SPAK për abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Pas arrestimit te Beqirit në Francë qe fluturoi me një avion të vogël mbi një strukture kritike, central bërthamor, SPAK ka dalë me njoftim zyrtar dhe bën me dije se për të gjitha pasuritë që i janë zbuluar biznesmenit, është kërkuar sekuestro preventive.

Kështjella, e famshme Château d’Auteuil, ka një sipërfaqe prej 1200 m2 , e ndertuar ne shek. XVI, me vëndndodhje në komunën Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, afer ParisitKompleksi është i rrethuar nga park dhe gardh mbrojtës, ndërsa fasadat dhe çatitë gëzojnë statusin e monumentit historik të mbrojtur nga ligjet francese. Sipas regjistrave francezë, Château d’Auteuil u shit për 2.612.200 euro,ne 2024, date dhe vit që përputhet me atë të përmendur nga te dhenat e SPAK, ashtu si edhe vendndodhja në Oise, që prokuroria gjithashtu e citon. Në faqen zyrtare të kësaj rezidence, figuron emri i biznesmenit Ermal Beqiri.

Vendosja e Beqirit në Francë, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK nuk duket e rastësishme. Në këtë shtet ai ka kaluar shumë vite të rinise së tij, fillimisht si student. Madje pavarësisht sekuestros së gjithë pasurive që dispononte në Shqipëri, Beqiri ka arritur të krijojë paralelisht investime financiare edhe në pasuri të palujtshme. Pikëpyetjet që ka media dhe struktura posacme, janë ende se si ka arritur Beqiraj që të transferojë paratë atje.

Hetimet fillestare sugjeronin se E.B. ndodhej në Francë, gjë që përputhej me informacionin e dhënë nga Prokurorët e Posaçëm të SPAK-ut. Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankar me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente , u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj. Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre”, informoi SPAK.

Por, në fakt Beqiri u prangos më 28 korrik pasi u kap nga forcat ajrore franceze duke fluturuar me një avion të vogël, mbi një central bërthamor, pranë Normandisë. Gjatë kontrollit atij iu gjetën në trup 3 AirTag të fshehura në rroba, të cilat janë pajisje gjurmuese të vegjël të kompanisë “Apple”, që lejojnë gjurmimin e kujtdo që e mban me vete. 

Gjykata franceze vendosi vazhdimin e paraburgimit të tij me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Ndërkohë, SPAK ka përcjellë përmes Ministrisë së Drejtësisë kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij nga Franca në Shqipëri. Gjatë kontrolleve të kryera me kërkesë të SPAK në ambientet në pronësi të Beqirajt në Francë, janë sekuestruar edhe sende të cilat konsiderohen me interes për dosjen e AKSHI-it.

Beqiraj zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se ka përfituar tenderë dhjetëra miliona euro pas kërcënimeve që krahu i djathtë i Ergys Agasit, i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta. Në Shqipëri, Ermal Beqirajt i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese, një jaht luksoz, automjete të tjera si dhe të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve. Biznesmeni kishte vendosur jahtin me vlerë afro 1 milion euro në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”. Në sy bien edhe trualli në resortin “Green Coast” dhe vila luksoze në “Rolling Hills”.

 Ai akuzohet dhe hetohet per disa vepra penale si “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë  i ështe shtuar dhe akuza për korrupsion..

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *