Aktualitet

Nga sherri në club te kufoma në plazh/ Çfarë dihet për vrasjen e francezit në Ksamil.

Po festonte në Ksamil, truproja i ‘Principotes’ vret me thikë turistin francez! Sherri për një vajzë! Kapet pas 5 orësh, shoqërohej nga dy turq 

Pushimet në Ksamil do të ishin të fundit për turistin francez  Migel Mendes , i cili u vra këtë mëngjes nga truproja i beach bar’-it ‘Principotes.’ Një konflikt i dyshuar për një vajzë me truprojën e lokalit, Sokrat Vatën, përshkallëzoi deri në vrasjen e 20-vjeçarit.

Që prej mbrëmjes të së hënës, Mendes ndodhej bashkë me miqtë e tij në klubin e natës së vetë kompleksit, ku organizohej një festë me DJ francez. Në këtë pjesë të kompleksit, ndodhi edhe konflikti me truprojën. Më pas, turisti është nxjerrë nga Vata në pjesën e jashtme të lokalit, pas ‘beach bar’-it dhe shezlongëve ku është goditur me thikë nga 29-vjeçari që më pas është larguar.

Vata është kapur vetëm pas pesë orësh në Levan të Fierit, teksa përpiqej të arratisej në bagazhin e një makine, ku shoferja 31-vjeçare dhe pasagjeri 38-vjeçar, ishin turq.

Sipas raportimeve, 29-vjeçari, i cili banonte në Has dhe ishte i punësuar si truprojë në ‘Principotes’, nuk ishte i panjohur për autoritetet, pasi më herët ka pasur probleme me drejtësinë në Britaninë e Madhe, ku ishte dënuar në vitin 2024 për trafik droge. Rrethanat e lirimit të tij nga autoritetet britanike mbeten për t’u sqaruar.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike të Ksamilit.

Pas ngjarjes, disa pushues në Ksamil shprehën tronditjen nga vrasja e 20-vjeçarit me thikë.

“Është një ngjarje e rëndë, jemi me pushime me fëmijët! Si t’i themi që është vrarë dikush, ata do të tremben”, tha një pushues.

‘Principotes’ është një kompleks luksoz buzë detit në Rivierën Shqiptare, i vendosur përballë Tre Ishujve.

Ai ofron një plazh privat me shezlongë, restorant, bar dhe ambiente relaksi. Vendi i njohur për pamjen e bukur dhe ujërat e pastra të Jonit mbetet një nga destinacionet për turistët dhe vendasit.

“Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).

Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes” njoftoi sot policia.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *