Dita e 10 e protestës në Tiranë, qytetarët kërkojnë largimin e Ramës
Protesta në Tiranë është sot në ditën e 10, ndërsa qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta në Tiranë është sot në ditën e 10, ndërsa qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta ku shkruhej “Shqipëri e Re” dhe “Atdheu nuk shitet”, protestuesit kërkuan ndryshime politike dhe vijimin e protestave që prej ditësh po mbahen në kryeqytet dhe qytete të tjera të vendit.
Gjatë tubimit nuk munguan vetëm kritikat ndaj qeverisë, por edhe ndaj Partisë Demokratike dhe drejtuesve të opozitës.
Ndërkohë, protestues të tjerë kërkuan “dorëheqje, reformim dhe qeveri teknike”, duke theksuar se ndryshimi duhet të përfshijë të gjithë spektrin politik.
Sipas pjesëmarrësve, protestat nuk po mbështeten vetëm nga qytetarët brenda vendit. Në tubim u deklarua se shqiptarë nga Anglia, Gjermania, Italia dhe vende të tjera kanë mbërritur në Shqipëri për t’iu bashkuar protestës.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Edi Rama dorëhiqu”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Atdheu nuk shitet”. Protestuesit deklaruan se do të vijojnë tubimet edhe në ditët në vazhdim, duke kërkuar ndryshime në qeverisjen e vendit.

