Aktualitet

ORIKUMI DHE SINJALI I RREZIKSHËM I “MODELIT MAFIOZ” TË ZHVATJES SË BIZNESIT.

Ngjarja e rëndë e regjistruar në Orikum, ku një grup prej më shumë se 10 personash të armatosur dyshohet se ka tentuar t’i vendosë një gjobë prej 5 milionë eurosh një biznesmeni, përbën një nivel shumë më të lartë alarmi sesa një episod i zakonshëm kriminal.

Kjo formë e shfaqjes së kriminalitetit ngjan me modelin klasik të mafies: grupi shkon fizikisht tek biznesi, demonstron forcën numerike dhe fuqinë e armëve, krijon terror psikologjik dhe kërkon nënshtrimin ekonomik të viktimës.

Ky është një model që nuk synon vetëm grabitjen apo përfitimin e menjëhershëm financiar. Zhvatja mafioze synon diçka më të rëndësishme: kontrollin, nënshtrimin dhe vendosjen e një autoriteti paralel ndaj shtetit.

Në analizën e sigurisë, kemi të bëjmë me një nga format më të rrezikshme të kërcënimit ndaj rendit publik dhe klimës së biznesit.

Pyetja kryesore që duhet të marrë përgjigje nga hetimi është:

A kemi të bëjmë me një grup kriminal të strukturuar, me hierarki, role të ndara, informacion paraprak mbi viktimën dhe kapacitet për përdorimin e dhunës? Apo kemi të bëjmë me një bashkim spontan personash kriminalë për realizimin e një akti zhvatjeje?

Diferenca është thelbësore.

Nëse kemi një grup të strukturuar, atëherë kemi përballë një fenomen që kërkon jo vetëm arrestimin e autorëve të episodit, por çmontimin e gjithë rrjetit: financuesve, informatorëve, personave që sigurojnë armët, mbështetësve dhe lidhjeve të tyre territoriale.

Prania e një numri të madh personash të armatosur në një operacion të tillë kriminal tregon një nivel të lartë organizimi dhe guximi kriminal. Kjo do të thotë se autorët kanë qenë të bindur se mund të shfaqnin forcën e tyre hapur.

Ky është pikërisht momenti kur shteti duhet të reagojë jo vetëm me forcë operacionale, por edhe me inteligjencë parandaluese.

Biznesi nuk duhet të presë që para derës t’i shfaqet një grup i armatosur për të kuptuar se është nën kërcënim. Strukturat e sigurisë duhet të identifikojnë paraprakisht grupet që tentojnë të krijojnë kontroll territorial, të imponojnë “gjobë”, të kërkojnë përqindje nga investimet apo të përdorin frikën si instrument ekonomik.

Zhvatja e biznesit me armë është një nga format më të rënda të penetrimit të kriminalitetit në ekonomi.

Orikumi, Vlora dhe gjithë zona bregdetare janë sot territore me rëndësi të jashtëzakonshme turistike dhe ekonomike. Çdo shfaqje e “modelit mafioz”, ku grupe kriminale tentojnë të imponojnë pagesa ndaj sipërmarrësve, duhet të goditet në embrion.

Mesazhi duhet të jetë i qartë:

Në Shqipëri nuk mund dhe nuk duhet të krijohen territore ku biznesi paguan për “mbrojtje”, ndërsa krimi tenton të zëvendësojë autoritetin e shtetit.

Reagimi i Policisë në ndjekjen e autorëve është i rëndësishëm, por sfida e vërtetë fillon tani: të zbulohet nëse pas kësaj ngjarjeje fshihet një strukturë më e gjerë kriminale dhe nëse ekzistojnë raste të tjera biznesesh që janë kërcënuar, shantazhuar apo detyruar të paguajnë në heshtje.

Sepse heshtja e një biznesmeni nga frika është pikërisht terreni ku lind dhe forcohet mafia.

Siguria e biznesit është siguri kombëtare. Kur krimi fillon të taksojë biznesin, shteti humbet territor.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *